Haki Azemi, legjenda e Dritës që shkroi histori me golat e tij

Haki Azemi mbetet një nga emrat më të veçantë të historisë së futbollit në Gjilan, një futbollist që la gjurmë të pashlyeshme me golat, përkushtimin dhe kontributin e tij në periudhat më të vështira për sportin kosovar.

Rrugëtimin në futboll e nisi që në fëmijëri, duke kaluar nëpër kategoritë e KF C. Zvezda në Gjilan. Talenti i tij u vërejt shumë herët, ndërsa në vitin 1981, në moshën vetëm 17-vjeçare, debutoi në ekipin e parë në pozitën e sulmuesit të djathtë. Shpejtësia dhe mënyra e lojës bënë që të merrte nofkën “Kevin Kigen”, sipas ish-yllit të futbollit anglez.

Megjithëse kishte mundësi për të vazhduar karrierën në klube të tjera, Azemi zgjodhi të qëndronte në qytetin e tij. Në sezonin 1983/84 iu bashkua KF Dritës, ku për rreth dhjetë vjet u bë një prej figurave kryesore të skuadrës, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Golat që u bënë pjesë e historisë së futbollit kosovar

Periudha e viteve të 90-ta ishte ndër më të vështirat për sportin në Kosovë. Pas dëbimit të sportistëve shqiptarë nga stadiumet, futbolli vazhdoi në kushte të rënda, në fusha improvizuese dhe livadhe të fshatrave. Në atë kohë, Haki Azemi ishte ndër futbollistët që kontribuuan në mbajtjen gjallë të futbollit të organizuar në Kosovë.

Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ishte 14 shtatori i vitit 1991, kur në Llukar u zhvillua ndeshja e parë e kampionatit të Ligës së Republikës së Kosovës, në të cilën Drita u përball me Besëlidhjen.

Në fitoren 3-1 të skuadrës gjilanase, Azemi shënoi golin e parë të takimit, duke hyrë kështu në historinë e klubit dhe të futbollit kosovar. Për Dritën në atë ndeshje shënuan gjithashtu Murseli dhe Maliqi.

Edhe paraqitja e parë si vendas, më 5 tetor 1991 në Dobërçan, solli një tjetër gol nga Azemi. Drita triumfoi 2-1 ndaj Drenicës, me golin tjetër të realizuar nga Kryeziu.

Screenshot

Momenti tjetër historik erdhi më 27 tetor të po atij viti. Në stadiumin ndihmës në Gjilan, Drita shënoi fitore të thellë 8-0 ndaj Suharekës, ndërsa Haki Azemi realizoi hat-trickun e parë të futbollit kosovar pas fillimit të kampionatit të pavarur.

Në edicionin 1991/92, Azemi përfundoi si golashënuesi më i mirë i Dritës me tetë gola. Ai ishte gjithashtu ndër futbollistët me më së shumti paraqitje, duke luajtur në 16 nga 18 ndeshjet e zhvilluara, rekord që e ndau me bashkëlojtarin Haqif Shkodra. Për paraqitjet e tij u përfshi edhe në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë të Kosovës për atë sezon.

Kontributi i tij vazhdoi edhe në kampionatin pasues. Më 18 tetor 1992, në ndeshjen kundër Ulpianës, të zhvilluar në Malishevë, Azemi shënoi golin e vetëm të takimit, duke i siguruar Dritës fitoren 1-0.

Screenshot

Histori suksesi edhe me KF Gjilanin

Pas periudhës së suksesshme te Drita, Haki Azemi vazhdoi karrierën në KF Gjilani ’95, ku mori përsipër edhe rolin e kapitenit.

Edhe në këtë klub, ai u bë protagonist që në paraqitjen e parë. Në ndeshjen debutuese të Gjilanit, shënoi golin e parë të skuadrës në fitoren 4-0 kundër Lepencit.

Sezoni ishte veçanërisht i suksesshëm për të, pasi përfundoi si golashënuesi më i mirë i ligës me plot 28 gola, duke u renditur sërish në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë në Kosovë.

Kështu, Azemi arriti një veçanti në historinë sportive të Gjilanit: të ishte kapiten dhe një prej figurave kryesore të të dy klubeve të qytetit, Dritës dhe Gjilanit, në periudha me rëndësi të jashtëzakonshme për futbollin kosovar.

Kujtimet e një periudhe të mbushur me sakrifica

Duke kujtuar vitet e vështira të futbollit gjatë okupimit, Azemi ka rrëfyer emocionet dhe sakrificat që përjetuan futbollistët e asaj gjenerate.

“Është kohë e gjatë… ishin vite të mbijetesës, vite të sakrificës, vite të pushtimit serb. Ishim të pangrënë e të papirë, luanim nëpër ara e livadhe të rrezikuar vazhdimisht”, kujton ai.

Screenshot

Azemi shprehet krenar për të gjithë futbollistët që patën guximin të vazhdonin të luanin në ato rrethana, duke theksuar se përmes sakrificës së tyre arritën ta mbanin gjallë futbollin dhe t’u linin një histori brezave të ardhshëm.

“Jam krenar dhe ndihem thellësisht i lumtur që i takoj kësaj pjese të historisë. Këtë e bëmë me zemër, me dashuri për futbollin dhe për brezat që do të vijnë”, ka deklaruar Azemi.

Haki Azemi sot kujtohet si një prej figurave të rëndësishme sportive të Gjilanit, jo vetëm për golat dhe sukseset e tij, por edhe për qëndrueshmërinë në një periudhë kur vazhdimi i sportit ishte një akt sakrifice dhe përkushtimi.

Ai është gjithashtu vëllai i dëshmorit të kombit, Naser Azemi.

Historia e tij mbetet pjesë e trashëgimisë së futbollit gjilanas dhe një dëshmi e kontributit të gjeneratës që nuk lejoi që futbolli kosovar të ndalej edhe në kohët më të rënda.

Shkrimin origjinal e ka realizuar Sylejman Ismajli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *