Kosova gjatë vitit 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të importit ndonjëherë, duke arritur në 7.11 miliardë euro, ndërsa eksporti ka kapur vlerën prej 943 milionë euro, kështu bën të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Në një intervistë për emisionin ekskluzivisht ekonomik “Shtylla” në KosovaPress, Llugaliu tha se kjo është hera e parë që importi i Kosovës tejkalon pragun prej 7 miliardë eurosh, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Tek importi janë produktet minerale, e kryesisht në këtë pjesë bëjnë pjesë me një sasi dominuese lëndët djegëse, derivatet që i përdorim për qëllime të ndryshme. Mandej janë mjetet e transportit si produkte të gatshme, makineritë, pajisjet mekanike, giza dhe çeliku, plastika dhe produktet e tyre sa i përket importit. Domethënë këto janë top 5 produktet që importohen në vendin tonë nga vlera. Ndërsa sa i përket eksportit, Kosova në pjesën dërmuese të produkteve që mbizotërojnë janë metalet bazë dhe artikujt me metale bazë, plastika dhe artikujt prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet, alkooli dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar siç janë mobiliet, si dhe produktet minerale, xehet në përgjithësi”, potencon ai.
Kësisoj, sipas drejtorit të i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u arrit edhe rekordi i importit prej 7.11 miliardë euro, krahas eksportit që ka kapur vlerën prej vetëm 943 milionë euro.
“Dogana dhe vitin që lamë pas ka vazhduar me një performancë të kënaqshme, duke arritur kështu të sigurojmë të hyra për buxhetin e Kosovës në shumën prej 1 miliard e 668 milionë. Kjo përbën afër 8 për qind rritje më shumë sesa viti paraprak, të cilin vit kemi pasur 1 miliard e 832 milionë”.
Por, çka ndikoi në këtë rritje të importit?
Pas fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me BE-në, me Turqinë e së fundmi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur një ndikim dukshëm të rritshëm në taksat që lirohen, që në fakt kanë efekt negativ sa i përket shumës që mbledhim ne, në shumën prej 48 milionë më shumë sesa viti paraprak, duke arritur në rreth 425 milionë për vitin 2024.
Llugaliu, u shpreh optimist edhe për vitin që nisi javë më parë. Kjo, derisa qartëson formën se si po mblidhen të hyrat.
“Ne presim të kemi një performancë të ngjashme. Besoj që ne do të vijojmë që të kemi një rritje të trendit të hyrave në këto përmasa, nëse aspektet që ndikojnë ekonominë në nivel lokal po edhe në nivel global nuk paraqesin ndonjë të papritur të madhe që mund me ndiku tek aspektet ekonomike. Përndryshe, vlen me e cek se me gjithë atë suksesin që ne kemi arritur, është shumë e rëndësishme që gati 98% e të hyrave që ne i mbledhim vijnë nga deklarimet që i bëjnë vetë bizneset, domethënë deklarime vullnetare. Është vetëm 2.4 për qind pjesa e mbetur e të hyrave që mblidhen nga shumat që dogana në bazë të veprimeve, informatave, rivlerësimeve që i ndërmerr, i siguron si të hyra shtesë në buxhetin vjetor”, nënvizon Llugaliu.



Leave a Reply