Pas muajsh vështirësish, tregu i qumështit në Kosovë duket se po hyn në një fazë më të favorshme për fermerët. Prodhuesit vendorë thonë se situata ka nisur të stabilizohet, pas masave të ndërmarra për kufizimin e përdorimit të qumështit pluhur dhe yndyrave bimore në industrinë e qumështit.
Vetëm disa muaj më parë, fermerët deklaronin se deri në 30 për qind e qumështit të freskët u mbetej pa u shitur. Problemi lidhej kryesisht me konkurrencën nga produktet e prodhuara me qumësht pluhur dhe yndyrë bimore.
Të dhënat e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit tregojnë një rritje të ndjeshme të sasisë së qumështit të grumbulluar. Gjatë periudhës janar–qershor 2026, nga fermerët bashkëpunues të shoqatës janë grumbulluar dhe shitur mbi 45 milionë litra qumësht, krahasuar me rreth 35 milionë litra në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, importet e qumështit pluhur dhe vajit të palmës kanë shënuar rënie, duke krijuar më shumë hapësirë për prodhimin vendor. Masat e institucioneve kanë përfshirë edhe kontrolle më të shtuara dhe kërkesa për etiketim të qartë të produkteve.
Megjithatë, sektori ende përballet me sfida. Në ditët e fundit kishte pasur shqetësime për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga fermerët, por ky vendim është pezulluar dhe grumbullimi po vazhdon deri në një njoftim tjetër.
Fermerët tashmë shpresojnë që stabilizimi i tregut të vazhdojë dhe t’u krijojë mundësi për rritjen e prodhimit dhe zgjerimin e fermave të tyre.



Leave a Reply