Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në Prizren, ku janë sekuestruar gjithsej 14 motoçikleta dhe një trotinet, në kuadër të kontrolleve të zhvilluara në terren.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve janë evidentuar raste të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të rregullave të komunikacionit, për çka edhe janë ndërmarrë masat përkatëse.
Në kuadër të këtij aksioni, zyrtarët policorë kanë sekuestruar mjetet e identifikuara, ndërsa procedurat për rastet e evidentuara do të vazhdojnë sipas legjislacionit në fuqi.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet në komunikacion kanë për qëllim rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht në rastet kur përdoruesit e motoçikletave dhe trotinetëve nuk respektojnë rregullat.
Aksione të tilla pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që të rritet respektimi i rregullave të trafikut dhe të parandalohet rrezikimi i qytetarëve.



Leave a Reply