Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar letrën e Arlinda Zekajt, e cila tri ditë para se të vritej kishte kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.
Letra, e drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Në të, Zekaj kërkonte masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre, si dhe zbatimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor.
Ajo shprehte shqetësimin se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për sigurinë e saj vazhdonte. Po ashtu, kërkonte nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke përmendur edhe Qendrën për Punë Sociale.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Zekaj në letrën e saj.
Në fund të dokumentit, ajo kishte shprehur edhe zhgënjimin e saj për rastet e shumta të vrasjeve, duke lënë një mesazh që merr peshë të veçantë pas asaj që ndodhi vetëm pak ditë më vonë.
Më 25 tetor, Arlinda Zekaj u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Për rastin, si i dyshuar për vrasjen është raportuar kunati i saj, i cili, sipas Policisë, ndodhej në arrati.
Rastit i kishte paraprirë një raportim për dhunë në familje po atë mbrëmje. Sipas njoftimit të Policisë, viktima ishte intervistuar në stacionin policor, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Më pas, ajo ishte dërguar në shtëpi.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë kishte konfirmuar pranimin e parashtresës së saj dhe kishte bërë të ditur se ajo ishte përcjellë për trajtim urgjent te institucionet përkatëse.
Pas vdekjes së saj, Prokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për mënyrën se si janë trajtuar rastet e raportuara nga Zekaj, përfshirë edhe letrën e dorëzuar më 22 tetor. Po ashtu, është kërkuar shqyrtimi i veprimeve institucionale dhe i përgjegjësive të mundshme.
Rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi reagimin e institucioneve ndaj kërkesave të saj për ndihmë dhe masat që ishin ndërmarrë për sigurinë e saj.



Leave a Reply