Me tymues dhe pankarta kërkohet dorëheqja e ministres së Drejtësisë

Një aksion simbolik është zhvilluar sot në Prishtinë, ku është kërkuar dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas deklaratave të saj lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Organizata QIKA ka realizuar aksionin duke përdorur tymues dhe duke vendosur mesazhe në objektin e Qeverisë, përmes të cilave ka kërkuar përgjegjësi institucionale.

Sipas organizatës, institucionet nuk duhet ta zhvendosin përgjegjësinë te viktima, por duhet të japin llogari për mënyrën se si është trajtuar rasti dhe kërkesat e saj për mbrojtje.

Aksioni vjen pas deklaratave të ministres Gërvalla në seancën e Kuvendit, ku ajo kishte thënë se viktima iu ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë, por nuk kishte marrë mbrojtjen e kërkuar, ndërsa nuk i ishte drejtuar Qeverisë.

Organizata ka kërkuar që të shqyrtohet përgjegjësia politike dhe institucionale për këtë rast.

Vrasja e 49-vjeçares ka shkaktuar reagime të shumta publike, duke rikthyer diskutimin për sigurinë e grave dhe efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes nga dhuna në familje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *