Rritja e vazhdueshme e çmimeve po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet familjare në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në shtator të vitit 2026 ka arritur në 7.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Ndërkohë, krahasuar me muajin gusht, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje prej 0.2 për qind.
Rritja më e madhe vjetore është regjistruar në sektorin e transportit, ku çmimet janë rritur për 23.9 për qind. Pas tij renditet grupi i banimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me rritje prej 11.9 për qind.
Shtrenjtim është regjistruar edhe në disa kategori të tjera të rëndësishme për konsumatorët. Pijet alkoolike dhe duhani janë rritur për 6.3 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit për 5.2 për qind, ndërsa shërbimet shëndetësore për 4.5 për qind.
Edhe produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike kanë shënuar rritje prej 2.4 për qind, ndërsa veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar për 3 për qind.
Këto të dhëna tregojnë se presioni mbi standardin e jetesës nuk kufizohet vetëm te produktet ushqimore, por prek edhe shpenzimet bazë si transporti, banimi dhe energjia.
Për një ekonomi ku një pjesë e madhe e konsumit mbështetet në produkte të importuara, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare paraqet një sfidë shtesë për qytetarët dhe bizneset.
Ekonomistë dhe përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar masa konkrete për të zbutur ndikimin e inflacionit, duke theksuar nevojën për politika që mbështesin fuqinë blerëse të qytetarëve dhe sektorin privat.



Leave a Reply