Rreth 40 raste të dhunës në familje brenda një jave, Prishtina prin me numrin më të madh

Rreth 40 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë javës së fundit, duke rikthyer në vëmendje përmasat shqetësuese të këtij fenomeni në vend.

Sipas raportimeve të publikuara më 2 nëntor, rastet përfshijnë sulme fizike dhe psikologjike, kërcënime, ngacmime dhe shkelje të urdhrave për mbrojtje.

Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve të raportuara, gjithsej 11, ndërsa Peja renditet e dyta me gjashtë raste.

Në disa prej rasteve, viktimat kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Po ashtu, një grua së bashku me foshnjën e saj është dërguar në strehimore për shkak të situatës së krijuar.

Raportimet e Policisë përfshijnë edhe raste në të cilat janë arrestuar të dyshuar dhe janë konfiskuar armë e municion në Deçan dhe Pejë.

Këto shifra vijnë në një periudhë kur opinioni publik është tronditur nga vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, rast që ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

Dhuna në familje mbetet një problem serioz shoqëror, ndërsa raportimi i rasteve dhe reagimi me kohë i institucioneve janë thelbësorë për parandalimin e pasojave të rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *