Rasti tragjik i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur një valë reagimesh dhe masa ndaj zyrtarëve që kishin përgjegjësi për trajtimin e raportimeve të saj për dhunë dhe rrezikim të jetës.
Në kuadër të veprimeve institucionale, janë suspenduar gjithsej 13 zyrtarë, përkatësisht 11 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe dy prokurorë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila kishte trajtuar rastin e Arlinda Zekajt dhe njëkohësisht ishte koordinatore për dhunën në familje.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë, përfshirë drejtues të strukturave rajonale në Pejë, komandantë të stacioneve policore dhe hetues që kishin qenë të përfshirë në trajtimin e rastit.
Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës kanë evidentuar mangësi serioze në trajtimin institucional të rastit. Sipas tyre, urdhri mbrojtës i lëshuar më 7 shtator nuk ishte dokumentuar si i ekzekutuar, ndërsa urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.
Po ashtu, është evidentuar se një email i datës 23 tetor, përmes të cilit një hetues kishte kërkuar vlerësim të rastit dhe asistencë shtesë, nuk ishte trajtuar nga zinxhiri komandues policor.
Këto zhvillime kanë ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës në familje dhe sa efektive janë mekanizmat e mbrojtjes për viktimat që kërkojnë ndihmë.
Suspendimet janë masa procedurale dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar mbi përgjegjësinë disiplinore apo penale të personave të përfshirë.



Leave a Reply