Alarm për sigurinë ushqimore në Kosovë: Bllokohen mbi 25 tonë misër për shkak të aflatoksinës

Mbi 25 tonë misër janë ndaluar të hyjnë në tregun e Kosovës, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar. Rasti është bërë i ditur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila ka ndërmarrë masa për mbrojtjen e sigurisë ushqimore.

Bëhet fjalë për një dërgesë prej 25.120 kilogramësh misër tregtar, për të cilën gjatë kontrolleve kufitare janë kryer analiza laboratorike. Sipas rezultateve, niveli i aflatoksinës B1 ka arritur në 30 mikrogramë për kilogram, ndërsa analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë konfirmuar nivelin e përgjithshëm të aflatoksinës prej 47 mikrogramësh për kilogram, shumë mbi vlerën referente prej 10 mikrogramësh.

Si rezultat, Inspektorati Fitosanitar ka vendosur refuzimin e importit dhe kthimin e dërgesës në vendin e origjinës.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, laboratorët kanë zbuluar gjithashtu nivele të tejkaluara të aflatoksinës B1 në produktin “Ushqim për viça deri në 300 kilogramë”. Për këtë produkt është ndaluar shitja dhe është urdhëruar tërheqja nga qarkullimi.

Aflatoksina është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myku dhe mund të paraqesë rrezik serioz për shëndetin. Ekspozimi afatgjatë ndaj saj lidhet me dëmtime të mëlçisë dhe rritje të rrezikut për kancer.

Rasti rikthen vëmendjen te rëndësia e kontrolleve kufitare dhe mbikëqyrjes së produkteve që përdoren si për konsum, ashtu edhe për ushqimin e kafshëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *