Përparim Rama intervistohet si i pandehur për projektin 12-milionësh “Arkitekti i Kryeqytetit”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në kuadër të hetimeve që lidhen me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, kontrata e të cilit kap vlerën prej 12 milionë eurosh.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, intervistimi është zhvilluar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria ka bërë të ditur se është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Çështja ka qenë vazhdimisht objekt i kritikave politike dhe debatit publik, veçanërisht për vlerën e lartë të kontratës dhe mënyrën e realizimit të saj.

Ndërkohë, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka publikuar të dhëna sipas të cilave Komuna e Prishtinës kishte paguar 1 milion e 48 mijë euro për shërbime konsultuese vetëm gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2023.

Rama, pas daljes nga Prokuroria, ka deklaruar se vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke theksuar se puna e tij është zhvillimi i kryeqytetit.

Hetimet pritet të sqarojnë nëse gjatë realizimit të projektit ka pasur shkelje ligjore dhe kush mban përgjegjësi eventuale. Intervistimi si i pandehur nuk nënkupton shpallje fajtor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *