Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe për reformat që po zhvillohen në sektorin financiar.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, një nga temat kryesore të takimit ishte finalizimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA dhe dorëzimi formal i tij në Këshillin Evropian të Pagesave.
Ky proces lidhet edhe me hyrjen në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Gjatë takimit, guvernatori Ahmet Ismaili e informoi kryeministrin për gjendjen e sektorit financiar në vend, duke e vlerësuar atë si stabil, si dhe për qëndrueshmërinë financiare të Bankës Qendrore.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, i cili së bashku me anëtarësimin në SEPA synon të kontribuojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Anëtarësimi në SEPA është një proces me rëndësi për qytetarët dhe bizneset, pasi synon lehtësimin e transfertave në euro ndërmjet Kosovës dhe vendeve pjesëmarrëse.



Leave a Reply