ADN-ja konfirmon identitetin e tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Tre persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë janë identifikuar përmes analizave të reja të ADN-së, ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti.

Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazlijën dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Sipas njoftimit të kryeministrit, identifikimi është bërë pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Analizat janë realizuar mbi bazën e mbetjeve mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.

Tre personat ishin rrëmbyer në prill të vitit 1999 nga forcat e armatosura serbe dhe që nga ajo kohë konsideroheshin të zhdukur.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, tashmë ka informuar familjet për identifikimin e tyre.

Kurti ka shprehur ngushëllime për familjet, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një nga çështjet me rëndësi për institucionet e Kosovës.

Identifikimi i personave të zhdukur përmes analizave shkencore të ADN-së mbetet një hap i rëndësishëm për familjet që prej vitesh presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *