Një person është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se ishte i përfshirë në një rrjet të organizuar ndërkombëtar të kontrabandimit me migrantë, i cili dyshohet se vepronte në disa shtete të Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian.
Operacioni është realizuar më 3 nëntor nga Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori i Hetimeve i Departamentit për Kufi, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas informacioneve të bëra publike nga Policia, i dyshuari, shtetas i Kosovës, dyshohet se kishte një rol të rëndësishëm në organizimin e këtij aktiviteti. Ai dyshohet se rekrutonte shoferë dhe u siguronte atyre automjete, mjete financiare dhe harta me itineraret e lëvizjes.
Shoferët, sipas hetimeve, kishin për detyrë transportimin e migrantëve nga kufiri ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, fillimisht drejt Selanikut, për të vazhduar më pas rrugën përmes shteteve të tjera evropiane.
Gjatë operacionit është bastisur edhe banesa e të dyshuarit në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 1,760 euro para të gatshme dhe dokumente të ndryshme të transaksioneve financiare.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.



Leave a Reply