,

Isni Kilaj niset drejt Hagës, më 17 nëntor pritet vendimi i Speciales

Isni Kilaj është nisur sot për në Hagë, ku më 17 nëntor do të shpallet vendimi i Dhomave të Specializuara në rastin ku ai është i akuzuar së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre persona të tjerë.

Para nisjes, Kilaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur pritjen e tij për drejtësi, duke ritheksuar edhe mbështetjen për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Screenshot

“Sot po nisem për në Hagë! Më 17 nëntor e kemi verdiktin nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pres drejtësi! Sido që të jetë, gjithmonë-përjetësisht do të jem me Çlirimtarët!”, ka shkruar ai.

Në këtë proces gjyqësor, përveç Kilajt dhe Thaçit, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Rasti lidhet me pretendimet e Prokurorisë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë dyshimet për ndikim në dëshmitarët dhe ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Sipas aktakuzës, veprimet e pretenduara dyshohet se kanë ndodhur gjatë periudhës prill-nëntor 2023, ndërsa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Procesi gjyqësor nisi më 27 shkurt 2026, kurse deklaratat përfundimtare u paraqitën nga palët gjatë periudhës 10-14 shtator.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar për 17 nëntor, në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në internet në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *