Pavarësimi i futbollit të Kosovës në vitin 1991 ishte një nga momentet më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar. Në kohën kur shumë klube, futbollistë dhe trajnerë refuzuan të garonin nën sistemin serb, të njëjtin qëndrim e mbajtën edhe gjyqtarët e futbollit, të cilët vazhduan aktivitetin e tyre jashtë strukturave të regjimit.
Më 9 shtator 1991, në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, gjyqtarët kosovarë themeluan Këshillin Iniciativ për krijimin e shoqatës së tyre. Në krye të këtij këshilli u vendos Ismajl Kosumi, ndërsa u zgjodh edhe kryesia e parë e organizimit.

Kryetar i saj u bë Shinasi Berisha, nënkryetarë Ramadan Hoxha dhe Skender Selmani, ndërsa detyrën e sekretarit e mori Hadi Mehmeti. Në përbërje të kryesisë ishin edhe përfaqësues të tjerë nga rajone të ndryshme të Kosovës, përfshirë Skender Hoxhën dhe Abdulla Sylën nga Gjilani.
Një kontribut të veçantë në këtë proces dha edhe Regjioni i Gjilanit, i cili iu bashkua përpjekjeve për organizimin e pavarur të futbollit me nëntë gjyqtarë.

Në krye të gjyqtarëve të këtij regjioni ishte Skender Hoxha, i cili vazhdon ta ushtrojë këtë detyrë edhe sot, pas 35 vitesh, me vetëm dy ndërprerje të shkurtra gjatë kësaj periudhe.
Gjyqtarët nga Gjilani që kontribuuan në ato vite të vështira ishin:
- Skender Hoxha
- Sabri Dermaku
- Adem Kryeziu
- Menon Ibrahimi (i ndjerë)
- Zija Haziri
- Ramadan Bunjaku
- Bektesh Haziri (i ndjerë)
- Malazog Hoxha
- Nexhmedin Bunjaku

Përkushtimi i këtyre gjyqtarëve ishte i jashtëzakonshëm. Ata i zhvillonin aktivitetet e tyre pa pagesë, duke u përballur vazhdimisht me presionin, dhunën dhe maltretimet nga policia serbe.
Megjithatë, vështirësitë dhe kërcënimet nuk arritën t’i ndalnin nga rruga që kishin zgjedhur. Ata vazhduan të kontribuonin në ndërtimin e strukturave të pavarura sportive, duke dëshmuar se futbolli ishte edhe pjesë e përpjekjes për liri dhe pavarësi.

Historia e këtyre nëntë gjyqtarëve të Gjilanit mbetet një kapitull i rëndësishëm i kontributit të qytetit në organizimin dhe zhvillimin e futbollit të pavarur të Kosovës.



Leave a Reply