Mbahet takimi i parë i Komisionit për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2026

Prishtinë, 23 mars 2026

Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga z. Visar Krasniqi, mbajti takimin e parë të punës pas themelimit të tij në takimin e 290-të të KPK-së, të mbajtur më 19 mars 2026.

Në këtë takim morën pjesë anëtarët e rinj të Komisionit, z. Veton Shabani dhe z. Valdrin Krasniqi, ndërsa anëtarët e tjerë nuk ishin prezentë në këtë takim për shkak të angazhimeve të tyre në udhëtime zyrtare. Në takim ishin të pranishëm edhe z. Besim Kusari, në cilësinë e Koordinatorit të Komisioneve të Përhershme, si dhe znj. Margarita Gjocaj, Sekretare e Komisionit.

Gjatë këtij takimi, Komisioni për Çështje Normative përcaktoi orientimet strategjike, prioritetet dhe metodologjinë e punës, në funksion të ushtrimit efektiv të mandatit të tij si trup i përhershëm i Këshillit. Në këtë kuadër, u diskutua edhe Plani vjetor i punës për vitin 2026, i hartuar në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë funksionale të Komisionit, si dhe në harmoni me objektivat e Planit Strategjik të KPK-së për periudhën 2025–2027.

Ndër të tjera, anëtarët e Komisionit trajtuan me theks të veçantë disa nga aktivitetet kryesore për vitin 2026, duke përfshirë hartimin, rishikimin dhe harmonizimin e akteve nënligjore në përputhje me ndryshimet e fundit legjislative, mbikëqyrjen sistematike të zbatimit të akteve normative në fuqi, si dhe zhvillimin e mekanizmave institucionalë për formulimin e rekomandimeve në fushën e legjislacionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *