Ka përfunduar ndërtimi i rrethrrotullimit të shumëpritur në hyrje-dalje të Prishtinës, në aksin rrugor që lidh kryeqytetin me Gjilanin. Ky projekt pritet të sjellë një lehtësim të madh për qarkullimin e automjeteve dhe të shkarkojë mbingarkesën e gjatë në trafik, e cila ka qenë një sfidë e përditshme për shoferët. Punimet kryesore në këtë nyjë rrugore tashmë kanë përfunduar, duke përfshirë edhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme.

Megjithatë, përtej rregullimit të rrethrrotullimit kryesor, shoferët po përballen me një tjetër pikë të rrezikshme. Shqetësim serioz po mbetet ndërrimi i kahjes në mes të shoferëve që vijnë nga drejtimi i Gjilanit dhe atyre që shkojnë nga Prishtina në drejtim të Kompleksit të Gjykatave.

Ky ndërrim i shpejtë i korsive në mes të dy rrymave të automjeteve po shkakton konfuzion të madh te ngasësit, duke u kthyer në një pikë të nxehtë për bllokada. Për këtë arsye, organet komunale apo qeveritare duhet bëjnë një intervenim apo sinjalistikë shtesë që do të ndante qartë rrjedhën e makinave drejt gjykatave, ndërsa shoferëve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë pjesë.




Leave a Reply