Përmendorja partizane e Gjilanit – një simbol i një epoke që nuk solli liri për shqiptarët e Kosovës
Për dekada me radhë, përmendorja e njohur si “Ushtari i Panjohur” ka qenë një nga simbolet e Gjilanit. Megjithatë, historia e saj ngre një pyetje të rëndësishme: a përfaqëson kjo përmendore historinë dhe sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës, apo një ideologji që shqiptarëve nuk ua solli lirinë?
Përmendorja u inaugurua më 16 nëntor 1963 për të përkujtuar hyrjen e forcave partizane në Gjilan në vitin 1944 dhe u realizua nga skulptori Ante Gržentić, i cili vepronte në Beograd. Ajo ishte pjesë e politikës monumentale të Jugosllavisë socialiste, e cila në të gjithë federatën ndërtoi monumente për të promovuar narrativën zyrtare të Luftës Nacionalçlirimtare dhe ideologjinë e “vëllazërim-bashkimit”.

Është e vërtetë se shqiptarë nga Kosova morën pjesë në radhët e partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, përfundimi i luftës nuk solli realizimin e aspiratave kombëtare të shumicës së shqiptarëve të Kosovës. Kosova mbeti brenda Jugosllavisë socialiste, pa status republike dhe me të drejta politike më të kufizuara se republikat e federatës.
Dekadat që pasuan u shoqëruan me periudha të ndryshme represioni. Shqiptarët përjetuan diskriminim politik, kufizime në të drejtat kombëtare, burgosje të veprimtarëve, shpërngulje dhe, veçanërisht pas vitit 1989, shfuqizimin e autonomisë së Kosovës, largimin masiv nga institucionet dhe shtypjen sistematike nga regjimi i Slobodan Milošević.
Kulmi i kësaj politike ishte lufta Shqiptaro-Serbe e viteve 1998–1999, e cila përfundoi më 11 qershor 1999, me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe tërheqjen e forcave serbe. Vetëm pas kësaj periudhe u krijuan kushtet që shqiptarët e Kosovës të ndërtonin institucionet e tyre dhe të ecnin drejt shtetësisë.
Pikërisht për këtë arsye, dujet të pyesim nëse është e arsyeshme që një monument i ngritur për të përfaqësuar narrativën e regjimit komunist jugosllav të vazhdojë të konsiderohet simbol i Gjilanit.

Identiteti i qytetit duhet të lidhet me figura dhe ngjarje që përfaqësojnë historinë, rezistencën dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri, e jo me një sistem politik nën të cilin ata nuk gëzuan liri të plota.
Ky debat nuk është vetëm për një skulpturë. Ai është debat për kujtesën historike, identitetin dhe vlerat që një qytet zgjedh të vendosë në qendër të hapësirës së tij publike.



Leave a Reply