OPINION: Gjyqtarë apo tregtarë: Kush po e vret shpresën dhe drejtësinë në Kosovë

Një sistem që dështoi të mbrojë kushtetutshmërinë, ku “peshorja e drejtësisë” shpesh anon nga interesi, duke e kthyer dënimin e të pafajshmit dhe lirimin e fajtorit në një avaz që po zbraz vendin.

Nga: Daja / Për Art Media
Që nga paslufta, sistemi gjyqësor në Kosovë ka operuar shpesh jashtë kodeve të etikës dhe pa profesionalizmin e domosdoshëm për t’i respektuar dhe mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Pjesa dërmuese e gjyqtarëve, përgjatë këtyre viteve, më shumë kanë bërë “tregti” me lirinë dhe të drejtën e njeriut, sesa që kanë ndarë drejtësi të mirëfilltë.
Sistemi gjyqësor ka dështuar të operojë si pushtet i pavarur për ta ruajtur kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Për vite me radhë, sidomos deri në vitin 2010, drejtësia shpesh bëhej me ndërmjetësues – duke vendosur në prapaskena se kush duhej të dënohej e kush të lirohej. Si pasojë e këtij pazari, gjërat shkuan mbrapsht: dënohej i pafajshmi dhe lirohej fajtori.

Alarmi i vitit 2010: Kur testi i etikës nxori “zbuluar” sistemin

Në vitin 2010, kur misioni i EULEX-it mori mandatin ligjzbatues në Kosovë, një nga veprimet e para që ndërmori ishte nënshtrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në një test të ETIKËS. Në këtë test të thjeshtë ranë një numër i madh i njerëzve të sistemit.

Fatkeqësia e madhe: Pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, këta persona i mbajtën pozitat e tyre dhe vazhduan të ushtrojnë funksione publike, ndonëse dështuan të kalonin një test elementar moral e profesional.

Sipas hulumtimeve dhe monitorimeve të vazhdueshme, në Kosovë po vazhdon i njëjti avaz i vjetër: padrejtësi në kurriz të atij që është i pafajshëm dhe i pafuqishëm përballë sistemit.

Ligje të avancuara, por mungesë e llogaridhënies

Republikës së Kosovës nuk i mungojnë ligjet e avancuara për të drejtat e njeriut; madje, Kushtetuta jonë ngërthen në vete marrëveshjet më të larta ndërkombëtare. Ajo që i mungon tmerrësisht vendit është një sistem efektiv mbikëqyrës dhe kontrollues (Vetting) për t’i larguar nga puna gjyqtarët e korruptuar. Këta të fundit kanë shkelur betimin e dhënë për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
Në mbarë botën, sistemi gjyqësor ka në stemën e tij një peshore – simbol i matjes së barabartë, paanshmërisë dhe të vërtetës. Është për keqardhje që gjyqtarët në Kosovë shumë herë bëhen palë në proces, duke anuar nga padrejtësia dhe duke prodhuar viktima të sistemit – qytetarë që humbin shpresën dhe arsyen për të jetuar e investuar në vendin e tyre.

Kush e dëmtoi imazhin e Kosovës dhe po i dëbon qytetarët?

  • Zbehja e shpresës: Askush më shumë se sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial nuk e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në syrin ndërkombëtar.
  • Zbrazja e vendit: Askush më shumë se ky sistem nuk e ka zbehur dëshirën e prindërve kosovarë për t’i rritur fëmijët e tyre në vendlindje.
  • Bashkëfajësia në krim: Problemet dhe dëmet e mëdha në këtë shtet nuk do të mund t’i shkaktonte asnjë lloj politikani, pa ndihmën, heshtjen apo miratimin e sistemit ligjzbatues.

Koha për Veprim: Askush mbi Ligjin!

Cilido zyrtar që punësohet në institucionet e Kosovës, në cilëndo pozitë, duhet ta ketë të qartë një herë e mirë: askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
Ka ardhur koha që të veprohet pa hamendje. Është jetike për të ardhmen e shtetit që të bëhet filtrim i plotë dhe i pakompromis i sistemit ligjzbatues. Pa një gjyqësor të pastër, nuk mund të ketë as shtet, as drejtësi, e as të ardhme.