Gjenden eshtra në Malishevë, dyshohet se i përkasin personit të zhdukur vitin e kaluar

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në Malishevë, ku janë gjetur eshtra njerëzore që dyshohet se i përkasin një personi të raportuar si i zhdukur më 5 tetor të vitit të kaluar.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, mbetjet mortore janë zbuluar gjatë veprimeve hetimore dhe ekziston dyshimi se ato i përkasin një mashkulli nga Kosova, i cili figuronte në listën e personave të zhdukur.

“Eshtrat e gjetura janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohen obduksionit dhe ekzaminimeve të nevojshme për të konfirmuar identitetin e viktimës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në vazhdim.