Një zhvillim i rëndë është regjistruar në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku gjatë gërmimeve të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse janë gjetur deri më tani gjashtë trupa. Operacioni po vazhdon, ndërsa autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që në këtë lokacion të ketë edhe mbetje të tjera mortore.
Gërmimet po kryhen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, Policinë e Kosovës dhe me mbështetjen e EULEX-it. Ekspertët po punojnë për nxjerrjen dhe dokumentimin e çdo prove, ndërsa pas përfundimit të procedurave do të kryhen analizat e ADN-së për të përcaktuar identitetin e viktimave.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, lokacioni mund të jetë një varrezë masive që lidhet me zhdukjen e 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të cilët u rrëmbyen gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Familjet e tyre prej më shumë se dy dekadash vazhdojnë të kërkojnë informacion për fatin e të afërmve.
Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni i gërmimeve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pasi terreni është i gjerë dhe kërkon ekzaminim të detajuar. Çdo mbetje mortore e gjetur do t’i nënshtrohet procedurave forenzike, ndërsa rezultatet e identifikimit pritet të hedhin dritë mbi një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë.



Leave a Reply