Skandal në Francë: Arrestohet Ermal Beqiraj, dyshohet për spiunazh pas fluturimit mbi central bërthamor

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t, është arrestuar në Francë pas një fluturimi të dyshimtë mbi centralin bërthamor të Penly në Normandi.

Sipas autoriteteve franceze, avioni i vogël civil që drejtohej nga Beqiraj fluturoi në një lartësi më të ulët se ajo e lejuar mbi zonën e mbrojtur, duke aktivizuar menjëherë reagimin e Forcave Ajrore franceze. Pas uljes, ai u ndalua dhe iu nënshtrua procedurave hetimore.

Mediat franceze raportojnë se hetuesit po shqyrtojnë edhe pistën e një aktiviteti të mundshëm spiunazhi, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje që po analizohen nga autoritetet kompetente. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është ngritur një akuzë zyrtare për spiunazh dhe hetimet vijojnë.

Beqiraj është një nga emrat kryesorë të dosjes së AKSHI-t në Shqipëri, ku kërkohet nga SPAK për akuza që lidhen me manipulimin e tenderëve publikë dhe përfshirjen në një grup të strukturuar kriminal. Pas arrestimit në Francë, pritet të nisin procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *