Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar në kopsht privat

Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Tiranë, ku një edukatore e një kopshti privat është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije vetëm 2 vjeç.

Sipas informacioneve të policisë, 32-vjeçarja Brunilda Haxhiu u denoncua nga babai i fëmijës, pasi ai kishte vënë re shenja dhune në fytyrën e të birit. Fëmija kishte një mavijosje në faqe dhe skuqje në zonën e veshëve, çka ngriti dyshimet se ishte keqtrajtuar në ambientet e kopshtit.

Gjatë marrjes në pyetje, edukatorja ka deklaruar se veprimi i saj ishte i çastit, duke thënë: “Nuk e di se çfarë më gjeti, thjesht po qante dhe nuk e durova dot.”

Hetimet e mëtejshme dhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë konfirmuar, sipas autoriteteve, se ndaj fëmijës është ushtruar dhunë fizike. Pas verifikimit të provave, policia ka kryer arrestimin në flagrancë të edukatores.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *