
Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 31 korrik 2026, pas shqyrtimit të dorëheqjes së rektorit, Artan Dërmaku, konstatoi përfundimin e mandatit të tij.
Me qëllim të garantimit të vazhdimësisë institucionale dhe funksionimit të rregullt të Universitetit, Këshilli Drejtues, i kryesuar nga Liza Rexhepi, ka zgjedhur Fitore Malaj ushtruese të detyrës së Rektores së Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Biografia dhe Përvoja
Fitore Malaj është profesore në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Për gjashtë vjet ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, duke udhëhequr procese të rëndësishme në fushën e zhvillimit akademik dhe të sigurimit të cilësisë.
Ajo ka qenë gjithashtu anëtare themeluese e Këshillit Drejtues, ku ka shërbyer për pesë vjet dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin institucional, strukturat e qeverisjes dhe proceset strategjike të Universitetit.
Fjala e Ushtrueses së Detyrës së Rektores
Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së Rektores, Fitore Malaj, falënderoi Këshillin Drejtues për besimin e dhënë dhe theksoi se marrjen e kësaj detyre e konsideron përgjegjësi, e jo privilegj.

Ajo u zotua se do të angazhohet me përkushtim për funksionimin e mirë të institucionit, avancimin e proceseve akademike dhe zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.



Leave a Reply