
Vezir Haziraj, i dyshuari për plagosjen e një personi në Banjë të Istogut, është deklaruar nga arratia përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Haziraj, i cili dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes pas incidentit, ka pretenduar se veprimi i tij ka qenë në vetëmbrojtje. Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tij dhe ka bërë krahasime me një rast të mëparshëm që lidhet me Gani Gecin.
“E kam bërë për vetëmbrojtje, në shtëpinë time”, ka deklaruar Haziraj në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Rasti ka ndodhur të premten, rreth orës 20:50, në Banjë të Istogut. Personi i plagosur është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa sipas informacioneve mjekësore, gjendja e tij është stabile.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe se po ndërmerren veprimet e nevojshme për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Pretendimet e Hazirajt për vetëmbrojtje janë deklarata të tij dhe pritet që rrethanat e plota të rastit të përcaktohen nga hetimet e organeve kompetente.


Leave a Reply