Dështon votimi për Vlora Çitakun, PDK-ja mbetet pa nënkryetare në Kuvend

Kandidatura e Vlora Çitakut nga Partia Demokratike e Kosovës për postin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme në seancën konstituive të Kuvendit.

Çitaku ishte propozuar nga PDK-ja për njërën prej pozitave të nënkryetarëve të Kuvendit, por votimi i zhvilluar gjatë seancës së sotme nuk rezultoi me zgjedhjen e saj në këtë pozitë.

Çështja e zgjedhjes së nënkryetarëve ka qenë prej ditësh një prej pikave kryesore të ngërçit politik në Kuvend. PDK-ja kishte insistuar në kandidaturën e Çitakut, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë të ditur më herët se nuk do ta mbështeste atë. 

Moszgjedhja e Çitakut e mban të hapur krizën rreth përfundimit të konstituimit të Kuvendit. Përveç saj, në garën për nënkryetarë janë propozuar edhe Ardian Gola nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Emilija Rexhepi nga komunitetet joshumicë. 

Ngërçi politik lidhet edhe me përplasjet mes partive për votimin e presidentit të ardhshëm. VV-ja ka argumentuar se nuk do t’i japë votën Çitakut dhe Shalës, duke iu referuar qëndrimeve të tyre lidhur me zgjedhjen e presidentit. Nga ana tjetër, opozita e ka akuzuar shumicën për bllokim të procesit të konstituimit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *