Sot, Prishtina pritet të jetë në qendër të vëmendjes, pasi në kryeqytet mbahet “Marshi për Liri”, organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”. Marshi nis nga ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu” dhe zhvillohet në prag të shpalljes së aktgjykimit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Në fokus të këtij organizimi janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndërsa motoja e marshit është “Kosova po pret”. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare, duke e cilësuar marshin si një aktivitet për të shprehur mbështetje, drejtësi dhe dinjitet.
Për organizimin e sotëm janë bërë thirrje të shumta gjatë ditëve të fundit. Në mesin e figurave publike që kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë janë edhe artistë të njohur, ndërsa Dafina Zeqiri i është bashkuar thirrjeve vetëm një ditë para marshit.
Një pjesë e veçantë e programit pritet të jetë edhe muzika. Shkurte Fejza dhe Arif Vladi janë paralajmëruar si performues në këtë organizim, duke i dhënë marshit edhe një dimension emocional e simbolik.
Marshi zhvillohet vetëm pak ditë para 16 shtatorit, kur pritet të shpallet vendimi në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Për këtë arsye, organizatorët presin pjesëmarrje të madhe dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të mblidhen sot në Prishtinë.



Leave a Reply