, ,

Grenell: Ka mbështetje dypartiake amerikane për Hashim Thaçin, tani vendimi është në dorën e Hagës

I dërguari amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gëzon mbështetje dypartiake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa vendimi për fatin e tij tashmë i takon Gjykatës në Hagë.

Përmes një reagimi të publikuar të shtunën në platformën X, Grenell ka thënë se më 16 shtator pritet të shpallet vendimi në çështjen ndaj Thaçit.

Grenell ka rikujtuar se Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë prej rreth gjashtë vitesh dhe ka kritikuar ish-prokurorin amerikan Jack Smith, duke pretenduar se çështjet e tij në SHBA kanë dështuar dhe se kjo çështje në Evropë është e fundit që i ka mbetur.

“Madje, edhe demokratë nga Amerika dëshmuan në Hagë në favor të Thaçit, duke deklaruar nën betim se pretendimet e Jack Smithit ishin krejtësisht të pavërteta”, ka shkruar Grenell.

Sipas tij, kjo tregon se ekziston mbështetje nga të dyja partitë kryesore amerikane për Thaçin.

“Pra, ekziston mbështetje dypartiake amerikane për Thaçin… dhe kundër Jack Smithit. Tani gjithçka varet nga Gjykata e Hagës më 16 shtator”, ka deklaruar Grenell.

Vendimi i 16 shtatorit pritet me vëmendje të madhe në Kosovë, ndërsa sot në Prishtinë u mbajt edhe “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *