Edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – PriFest është përmbyllur të dielën mbrëma, më 13 shtator 2026, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për filmat dhe artistët pjesëmarrës.
Në kategorinë e filmit ballkanik, çmimi kryesor “Vjosa Berisha Award – Best Film” iu dha filmit “Shame and Money”, me regji të regjisorit kosovar Visar Morina. Filmi mori vlerësim edhe në kategorinë e aktrimit, pasi Astrit Kabashi u shpall “Aktori më i mirë” për rolin e tij në këtë produksion.
Çmimi për “Aktoren më të mirë” iu dha Sheqerie Buqajt, për interpretimin e saj në filmin “Hana”, ndërsa çmimi për “Regjinë më të mirë” shkoi për Belkis Bayrak, regjisore e filmit “Gulizar”.
Në kategorinë e filmave me metrazh të mesëm, çmimi “Best Medium Film” iu dha filmit francez “Les nocturnes”, me regji të Siham Bel. Ndërkaq, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër, çmimin “Best Short Film” e fitoi filmi “These Voices Are Real”, i regjisorit iranian Baran Nikrah.
Gjatë ceremonisë u nda edhe “Festival Award of Appreciation”, çmim i dhënë nga PriFest për filmin “In Pigeon’s Blood”, nga Chaya Moshayev dhe Hod Adler.
Një prej vlerësimeve të veçanta të mbrëmjes ishte edhe çmimi për arritje jetësore “Golden Goddess”, i cili iu dha Cheryl Johnson, në shenjë të kontributit të saj në fushën e kinematografisë.
Sipas PriFest, ceremonia e ndarjes së çmimeve shënoi përmbylljen e gjashtë ditëve të festivalit, të cilat u karakterizuan nga premiera filmash, produksione nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, takime me kineastë, diskutime dhe programe të ndryshme kinematografike.
Festivali u hap me filmin “Dua” dhe në edicionin e tij të 18-të solli një program të gjerë filmash që trajtuan tema si lufta, trauma, kujtesa, identiteti, familja, dashuria, liria dhe përplasja e individit me shoqërinë.
PriFest është themeluar në vitin 2008 nga producentja e ndjerë Vjosa Berisha dhe regjisori Fatos Berisha, ndërsa gjatë viteve është shndërruar në një prej ngjarjeve të rëndësishme të skenës së filmit në Kosovë dhe rajon.



Leave a Reply