Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit janë pezulluar, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për këtë post.
Sejdiu, i cili ishte propozuar si kandidat konsensual për president, njoftoi tërheqjen e tij pasi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme politike. Vendimi i tij ka komplikuar edhe më tej procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Nga LDK-ja është bërë e ditur se aktualisht nuk ka bisedime apo iniciativë të re për një kandidat tjetër. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se partia është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve.
Ndërkohë, nga Vetëvendosje është thënë se pavarësisht tërheqjes së Sejdiut, përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje do të vazhdojnë. Deputeti Adnan Rrustemi e ka cilësuar tërheqjen e Sejdiut si një goditje për procesin, por ka thënë se synimi mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja.
Situata pritet të varet edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe me cilin kandidat do të rifillojnë negociatat për postin e presidentit.



Leave a Reply