Deputeti Armend Muja ka bërë të ditur se sot ka marrë vendime për masa të përkohshme parandaluese dhe kontrolle të intensifikuara për aflatoksinën, me qëllim mbrojtjen e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve.
Sipas Mujës, pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në koncentratin për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, të prodhuar nga kompania DE HEUS D.O.O. në Serbi, është urdhëruar tërheqja e produktit nga tregu, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij.
Po ashtu, është vendosur një masë e përkohshme parandaluese për 30 ditë ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, me origjinë ose të prodhuara në Serbi. Gjatë kësaj periudhe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pritet të kryejë një vlerësim të dokumentuar të rrezikut.
Masat përfshijnë edhe kontrolle të intensifikuara për Aflatoksinën B1 në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve. Këto kontrolle do të shoqërohen me marrje mostrash dhe analiza laboratorike.
Muja ka theksuar se masat janë të përkohshme dhe parandaluese dhe do të rishikohen në bazë të rezultateve laboratorike dhe vlerësimit të rrezikut. Sipas tij, qëllimi kryesor është identifikimi i rrezikut në burim dhe parandalimi i hyrjes së produkteve jokonforme në zinxhirin ushqimor.



Leave a Reply