Mesazh masiv në asfaltin e Tiranës: “Jo, në emrin tonë”, pas dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë

Në ditën e 109-të të protestave antiqeveritare në kryeqytet, qindra qytetarë u mblodhën në një nga bulevardet kryesore të Tiranës, ku në asfalt u shkrua me shkronja të mëdha mesazhi “JO NË EMRIN TONË”. Pamja, e xhiruar me dron, tregon turmën e rreshtuar përreth mbishkrimit, ndërsa flamuri kombëtar valëvitej në skaj të grupit.

Mbledhja ra pikërisht ditën kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën vendimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burgim, Jakup Krasniqi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim, në total 81 vite burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, dhe mbrojtja ka bërë të ditur se do të ndjekë rrugët e ankimit pasi vendimi është i shkallës së parë.

Në protestën e Tiranës, ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj, duke folur në emër të grupit koordinues të protestës, e cilësoi ditën si një moment të zi për luftën e shqiptarëve për liri, duke shtuar se vendimi nuk përfaqëson drejtësi. Një tjetër i ri që mori fjalën shkoi më tej, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama duke thënë se ajo që ndodhi në Hagë ndodhi edhe për shkak të tradhtisë së tij, i cili loboi për krijimin e gjykatës. 

Vetë Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale si “marrëzi”, i shoqëruar me një fotografi simbolike të hartës së Evropës të rrethuar me tela me gjemba. 

Tensionet nuk mbetën vetëm në Tiranë. Në Hagë, ku u zhvillua një protestë paralele pranë selisë së gjykatës, dy protestues u arrestuan dhe një efektiv policie mbeti i lënduar lehtë pas përplasjeve me policinë holandeze, ndërsa në Prishtinë u organizua një protestë masive pas shpalljes së aktgjykimit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *