,

William Walker pas aktgjykimit në Hagë: “Ku ishit kur serbët i keqtrajtuan në mënyrën më mizore kosovarët?”

Diplomati amerikan në pension, William Walker, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si një “ditë të kobshme” për Kosovën.

Në një prononcim për Klan Kosova, Walker tha se ishte shumë i mërzitur me vendimin dhe kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për qasjen e tij gjatë periudhës para dhe gjatë luftës në Kosovë.

“Dua ta pyes Bashkimin Evropian, ku ishit para se lufta të niste kur serbët i keqtrajtuan në format më mizore kosovarët. Përpos deklaratave, asgjë më serioze. Ju desh NATO-s, Albrightit e Clarkut që të angazhohen seriozisht”, deklaroi Walker.

Ai përmendi gjithashtu dhunën seksuale dhe trajtimet mizore gjatë luftës në Kosovë, ndërsa shprehu kritika ndaj mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Kishte dhunime, trajtime mizore. Ata po mundohen që përmes gjyqtarëve e avokatëve që s’dinë asgjë për Kosovën t’i gjykojnë liderët kosovarë të UÇK-së”, tha Walker.

Ai e përshkroi vendimin si “ditë të kobshme dhe shumë të rëndë”, duke përsëritur se ishte thellësisht i mërzitur nga aktgjykimi.

Walker, i cili gjatë luftës në Kosovë drejtoi Misionin Verifikues të OSBE-së, ka reaguar edhe sot për pasojat që, sipas tij, vendimi mund të ketë në mënyrën se si Kosova shihet ndërkombëtarisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *