Valë sulmesh ndaj WhatsApp-it në Kosovë, KOS-CERT konfirmon rastet dhe jep këshilla për mbrojtje

Një valë sulmesh kibernetike ndaj llogarive të WhatsApp-it po raportohet në Kosovë, ndërsa Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike – KOS-CERT ka bërë të ditur se është duke trajtuar rastet e raportuara gjatë ditëve të fundit.

Sipas KOS-CERT, janë raportuar raste ku përdoruesit kanë humbur qasjen në llogaritë e tyre. Njësia ka nisur analizimin e rasteve në bashkëpunim me kompaninë Meta, për të identifikuar mënyrën dhe mekanizmat që po përdoren për komprometimin e llogarive.

Rastet nuk janë raportuar vetëm te një operator. Sipas raportimeve të publikuara nga mediat kosovare, edhe përdorues të IPKO-s kanë deklaruar se kanë humbur qasjen në WhatsApp. Autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm me kodet e verifikimit dhe kërkesat e dyshimta për regjistrimin e llogarisë në pajisje të tjera.

KOS-CERT këshillon qytetarët të mos ia japin askujt kodin OTP të WhatsApp-it, edhe nëse kërkesa duket se vjen nga një person i njohur. Gjithashtu rekomandohet aktivizimi i verifikimit me dy hapa dhe kontrollimi i rregullt i seksionit “Linked Devices” për të parë nëse ndonjë pajisje e panjohur ka qasje në llogari.

Nëse një përdorues pranon një kod verifikimi ose njoftim për regjistrim në një pajisje që nuk e ka iniciuar vetë, nuk duhet ta ndajë kodin dhe as ta autorizojë kërkesën. KOS-CERT ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe bashkëpunimin me institucionet, operatorët dhe partnerët relevantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *