Prishtinë, 06 shkurt 2026 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, organizuar në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë.

Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni i Republikës së Kosovës ka zhvilluar takime dhe vizita zyrtare në institucione të larta gjyqësore dhe ekzekutive të Turqisë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Shtetit.

Krerët e gjyqësorit, Rexhepi dhe Zogaj, janë pritur në takim nga kryetari i Gjykatës së Kasacionit (Gjykatë Supreme) të Turqisë, Ömer Kerkez, me të cilin kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy sistemeve të drejtësisë, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit.

Delegacioni kosovar është pritur gjithashtu në takime të ndara nga zëvendësministri i Drejtësisë Hurshit Yıldırım, kryetari i Akademisë së Drejtësisë së Turqisë Bekir Altun, zv/kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Basri Bagci, zv/kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, Fuzuli Aydogdu, kryetari i Këshillit të Shtetit (Gjykata e Lartë Administrative), Zeki Yigit dhe presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren.

Këto takime u vlerësuan si mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për mbështetjen e projekteve në fushën e sundimit të ligjit.

Në kuadër të kësaj vizite, në Turqi po qëndrojnë edhe gjyqtarët e rinj të gjeneratës së 13-të, nga Kosova, të cilët po ndjekin Programin Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë, i organizuar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), me qëllim të avancimit të kapaciteteve profesionale, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e drejtësisë.

Sistemi gjyqësor i Kosovës shpreh mirënjohje për Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) për mbështetjen e vazhdueshme dhe për realizimin e kësaj vizite të rëndësishme, frytdhënëse.


Leave a Reply