Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të, shtesën e përvojës dhe pensionet

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shpjeguar se pjesa kryesore e mjeteve do të vendoset në kontigjencën e pagave, me qëllim të mbulimit të kostos së pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe pagesave retroaktive që lidhen me shtesën e përvojës së punës.

Sipas Muratit, rialokimi përfshin edhe pagesat që lidhen me diferencën e shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në kuadër të kësaj ndarjeje, rreth 20 milionë euro janë paraparë për pensionet bazike. Sipas ministrit, këto mjete synojnë të mbulojnë koston e rritjes së numrit të pensionistëve dhe shpenzimet që rrjedhin nga kjo rritje.

Murati ka sqaruar se shtesa e përvojës lidhet me ndryshimet e bëra përmes Ligjit për Pagat dhe se një pjesë e pagesave të prapambetura duhet të mbulohet për periudhën para ndryshimeve të fundit.

Vendimi për rialokimin e mjeteve vjen në një periudhë kur çështjet e pagave, pensioneve dhe shpenzimeve publike vazhdojnë të jenë ndër temat kryesore të debatit ekonomik në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *