Këngëtarja Eli Fara ka reaguar për herë të parë publikisht pas publikimit dhe shpërndarjes së videove intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale.
Në një reagim të gjatë të publikuar në Instagram, Fara ka folur për dhimbjen që i ka shkaktuar cenimi i privatësisë, por edhe për reagimet dhe gjykimet që, sipas saj, kanë prekur atë dhe familjen e saj.
“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem”, shprehet këngëtarja, duke shtuar se turpi u takon personave që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një personi.
Fara ka theksuar se fakti që është artiste nuk ia heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet.
“Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shkruan ajo, duke folur edhe për mënyrën se si gratë shpesh përballen me gjykime edhe kur janë viktima të një cenimi të privatësisë.
“Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë”
Në reagimin e saj, këngëtarja ka bërë të qartë se nuk dëshiron që situata të kthehet në një spektakël publik dhe ka kërkuar nga njerëzit që të ndalojnë shpërndarjen e materialeve private.
“Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes”, shkruan ajo.
Reagimi vjen pasi Fara është raportuar se ka dëshmuar edhe në Polici lidhur me rastin. Sipas raportimeve mediatike, ajo ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kamerat në banesën ku janë regjistruar pamjet dhe se nuk beson se Adrian Hila i ka shpërndarë videot. Hetimet për mënyrën se si janë regjistruar dhe publikuar pamjet vijojnë.
Në fund të mesazhit të saj, Eli Fara falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë.



Leave a Reply