Më 10 tetor shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor, një ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit mendor, të luftojë stigmatizimin dhe të nxisë mbështetjen për personat që përballen me vështirësi psikologjike.
Me këtë rast, në Prishtinë janë paralajmëruar dy ngjarje që synojnë të vënë në fokus sfidat dhe rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor.
Ngjarja e parë është edicioni i tetë i Kongresit Ndërkombëtar me temën “Shëndeti mendor: sfidat dhe perspektivat e së ardhmes”, i organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë.
Kongresi mbahet në hotelin “Sirius”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00, më 10 dhe 11 tetor. Në të marrin pjesë profesionistë dhe studiues nga fusha e psikologjisë, mjekësisë dhe shërbimeve sociale, të cilët diskutojnë për sfidat aktuale, hulumtimet dhe perspektivat e ardhshme në këtë fushë.
Ndërkaq, në orën 11:00, klubi “Dëshira” organizon një konferencë për media me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor. Ngjarja mbahet në lokalet e klubit, në rrugën “Ukshin Hoti”, në Prishtinë.
Kjo ditë shërben gjithashtu si mundësi për të diskutuar mbi pengesat që i ndalojnë njerëzit të kërkojnë ndihmë, përfshirë paragjykimet dhe mungesën e mbështetjes.



Leave a Reply