Zbulohet magazinë me 239 dronë në Tiranë, arrestohet një 23-vjeçar

Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar një 23-vjeçar në Tiranë dhe ka zbuluar një magazinë ku mbaheshin 239 dronë, si dhe qindra pajisje e artikuj të tjerë që dyshohet se ishin të kontrabanduar.

Operacioni policor është koduar “Infrastruktura”. Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari është kapur në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, teksa dyshohet se po shiste llastiqe gjuetie me sfera metalike, të cilat, sipas hetuesve, mund të përdoreshin kundër policisë dhe institucioneve.

Gjatë kontrollit në një magazinë në rrugën “Kol Koci”, autoritetet kanë gjetur 239 dronë të madhësive të ndryshme, 75 llastiqe gjuetie, sfera metalike, 44 telefona mobilë dhe pajisje të tjera elektronike.

Në mesin e sendeve të sekuestruara përmenden pajisje për gjurmimin e automjeteve me GPS, pajisje për zbulimin e gjurmuesve, kamera dhe syze për regjistrim video.

Sipas policisë, për pajisjet dhe artikujt e sekuestruar nuk është paraqitur dokumentacioni përkatës. Rasti i është referuar prokurorisë për hetime lidhur me dyshimet për kontrabandë, shmangie tatimore dhe veprimtari të paregjistruar tregtare.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me rastin, duke pretenduar se magazina furnizonte protestuesit me pajisje që mund të përdoreshin kundër policisë.

Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht prejardhjen e pajisjeve dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *