Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar sot një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Wylita Bell, ku në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe prioritetet e legjislaturës së re.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për punën dhe sfidat që e presin Kuvendin në legjislaturën e njëmbëdhjetë, pas përfundimit të procesit të formimit të institucioneve të Kosovës. Palët trajtuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet amerikane.
Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës ndër vite, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të partneritetit mes dy vendeve.
Ajo ritheksoi se SHBA-ja vazhdon të jetë një partner kyç strategjik për Kosovën, ndërsa bashkëpunimin me shtetin amerikan e cilësoi të rëndësishëm për avancimin e synimeve euroatlantike të vendit.
Takimi zhvillohet në kuadër të angazhimeve për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikanë, në një periudhë kur Kuvendi po përgatitet për realizimin e prioriteteve të legjislaturës së re.



Leave a Reply