Kosova siguron vaksinat sezonale, institucionet shëndetësore bëjnë thirrje për imunizim

Vaksinat kundër gripit sezonal kanë arritur në Kosovë, ndërsa ka nisur shpërndarja e tyre në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në të gjitha komunat e vendit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë bërë të ditur se procesi i shpërndarjes së vaksinave ka filluar sot. Vaksinimi i qytetarëve pritet të nisë pasi vaksinat të jenë dërguar në QKMF dhe në njësitë përkatëse të tyre.

Për të marrë informacione të sakta rreth datës së fillimit të vaksinimit dhe procedurave, qytetarët këshillohen të kontaktojnë qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën ku jetojnë.

Institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal, duke vënë theks të veçantë te personat që kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar komplikime nga kjo sëmundje.

Këto janë grupet që kanë përparësi për vaksinim:

  • Personat e moshës mbi 65-vjeçare;
  • Personat me sëmundje kronike, si ato të zemrës, mushkërive dhe veshkave, personat me diabet, si dhe ata me imunitet të dobësuar;
  • Gratë shtatzëna;
  • Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata për të cilët vaksinimi rekomandohet sipas udhëzimeve shëndetësore;
  • Personat që qëndrojnë në institucione të kujdesit afatgjatë;
  • Mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë që ofrojnë shërbime shëndetësore.

Vaksina kundër gripit sezonal është e rekomanduar edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të marrin këtë masë parandaluese.

Sipas rekomandimeve shëndetësore, vaksinimi ndihmon në zvogëlimin e rrezikut nga format e rënda të gripit dhe komplikimet e mundshme, si dhe ul mundësinë e shtrimit në spital.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen pranë qendrave të mjekësisë familjare dhe të mos e neglizhojnë mbrojtjen nga gripi sezonal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *