OSBE-ja publikon raportin për drejtësinë në Kosovë, evidenton përparimin dhe mangësitë në rastet e korrupsionit

Institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e trajtimit të rasteve të rënda të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por zbatimi i reformave në praktikën gjyqësore vazhdon të përballet me vështirësi. Kështu vlerësohet në raportin e dytë rajonal për monitorimin e gjykimeve, të publikuar nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë më 21 tetor 2026.

Raporti shqyrton zhvillimet në gjashtë juridiksione të Ballkanit Perëndimor dhe analizon zbatimin e rekomandimeve të mëparshme për përmirësimin e proceseve gjyqësore. Vlerësimi është mbështetur në monitorimin e seancave gjyqësore, analizimin e vendimeve dhe konsultimet me institucionet përkatëse të drejtësisë.

Ndër zhvillimet pozitive të evidentuara janë përmirësimi i publikimit të vendimeve gjyqësore, përdorimi më i gjerë i mjeteve digjitale, trajnimi i specializuar dhe përpjekjet për të krijuar praktikë më të qëndrueshme gjyqësore. Sipas raportit, gjatë periudhës së monitoruar, 36 nga 41 aktgjykimet e shqyrtuara ishin publikuar në internet, përfshirë të gjitha 20 vendimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit.

Megjithatë, OSBE-ja thekson se proceset e gjata gjyqësore, veçanërisht në fazën e ankimimit, mbeten shqetësim. Mangësi janë evidentuar edhe në hartimin e aktakuzave, arsyetimin e vendimeve, qasjen në përkthim dhe përdorimin e hetimeve financiare për identifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar nga aktivitetet kriminale.

Sipas OSBE-së, sfida kryesore tashmë është që reformat e ndërmarra të prodhojnë rezultate të qëndrueshme në përditshmërinë e gjykatave dhe prokurorive. Përmirësimi i efikasitetit duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave për gjykim të drejtë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Gjetjet e raportit pritet të diskutohen në Forumin Rajonal Gjyqësor në Budva të Malit të Zi, më 26 dhe 27 tetor 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *