Zgjerimi i qendrave të të dhënave që mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale po përballet me kundërshtim gjithnjë e më të madh në Evropë. Mbi 100 organizata dhe grupe aktivistësh në 15 shtete evropiane po përgatiten të organizojnë protesta të premten dhe të shtunën, në kuadër të fushatës “Stop Dirty Data Centres”.
Organizatorët kërkojnë pezullimin e projekteve të mëdha për ndërtimin e qendrave të të dhënave, duke argumentuar se zgjerimi i tyre po sjell pasoja serioze për mjedisin, furnizimin me energji elektrike dhe komunitetet lokale.
Protesta janë planifikuar në disa qytete, përfshirë Varshavën, Dublinin, Amsterdamit dhe Londrën. Në fushatë mbështetëse janë përfshirë edhe organizata të njohura mjedisore, si Greenpeace dhe Friends of the Earth.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me sasinë e madhe të energjisë që kërkojnë këto qendra për funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale. Sipas hulumtimit të cituar nga The Guardian, emetimet e dioksidit të karbonit nga qendrat e të dhënave të AI-së mund të arrijnë deri në gjashtëfishin e nivelit të vitit 2023 deri në vitin 2030.
Aktivistët paralajmërojnë gjithashtu për ndikimin e mundshëm të inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe për konkurrencën që projektet e mëdha të teknologjisë mund të krijojnë me nevojat për banim dhe infrastrukturë lokale.
Nga ana tjetër, industria teknologjike mbron investimet në këto projekte, duke argumentuar se qendrat e të dhënave krijojnë vende pune dhe mbështesin rritjen ekonomike.
Debati po nxjerr në pah një dilemë gjithnjë e më të madhe: sa larg duhet të shkojë zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe kush duhet të bartë koston e tij?



Leave a Reply