Alarm në Evropë, kërcënimet për bomba detyrojnë të paktën 15 aeroplanë të devijojnë nga itinerari

Të paktën 15 fluturime në disa vende të Evropës janë përballur me ndërprerje të enjten, pas kërcënimeve për vendosjen e bombave në aeroplanë, duke shkaktuar devijime të itinerareve dhe ulje emergjente në aeroporte të ndryshme.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, incidentet kanë prekur fluturime që lidhnin Italinë, Irlandën, Britaninë e Madhe, Spanjën, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Finlandën dhe disa shtete të tjera evropiane.

Mes kompanive të prekura janë Ryanair, Wizz Air, Aer Lingus, Finnair dhe LOT. Dy aeroplanë të Ryanair, që udhëtonin nga Kopenhaga dhe Madridi drejt Sofjes, kanë kryer ulje emergjente në kryeqytetin bullgar.

Autoritetet kanë kryer kontrolle të sigurisë pas uljeve, ndërsa në disa raste nuk janë gjetur objekte të dyshimta. Edhe aeroportet e Sofjes dhe Plovdivit kanë njoftuar se operacionet janë kthyer në normalitet.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është përsëritja e këtyre incidenteve. Edhe gjatë ditëve të mëparshme, disa aeroplanë në Evropë ishin kontrolluar ose devijuar pas kërcënimeve të ngjashme.

Ekspertët e sigurisë ajrore kanë ngritur dyshime për një fushatë të mundshme të koordinuar për të shkaktuar panik dhe për të penguar funksionimin normal të transportit ajror. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar se këto incidente janë organizuar nga ndonjë shtet apo grup i caktuar.