Ligjërata vetëdijësuese për sigurinë në trafik në Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Në kuadër të projektit “Shpejtësia nuk është aftësi. Është rrezik.” u zhvilluan ligjërata në universitet

Me datën 24.02.2026, në kuadër të projekt-fushatës “Shpejtësia nuk është aftësi. Është rrezik.”, me moton kryesore “Mos e mat jetën me kilometra në orë”, hetuesit e aksidenteve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, së bashku me ekspertin e komunikacionit rrugor, zhvilluan ligjëratë me studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Tema kryesore e ligjëratës nga hetuesi i aksidenteve Gentrit Qalaj ishte shpejtësia e automjeteve dhe pasojat e saj, duke theksuar rrezikun që paraqet tejkalimi i kufizimeve të lejuara, pasojat e aksidenteve me lëndime dhe humbje jete, si dhe përgjegjësinë ligjore të shoferëve të automjeteve. Ai gjithashtu paraqiti statistika të aksidenteve dhe gjobave për shpejtësi gjatë viteve 2024/2025.

Eksperti i komunikacionit rrugor z.Xhemil Halili paraqiti argumente shkencore dhe inxhinierike që dëshmojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të shpejtësisë në sigurinë dhe fatin e njerëzve në trafik. Ai trajtoi dhe shpjegoi temat:

-Shpejtësia si faktor kryesor në shkaktimin e aksidenteve

-Ndikimi i shpejtësisë në gjatësinë e rrugës së ndaljes

-Ngushtimi i fushëpamjes së ngasësit në varësi të rritjes së shpejtësisë

-Roli i shpejtësisë në ashpërsinë e pasojave të aksidenteve

Fushata vetëdijësuese do të vazhdojë deri më 28.02.2026. Gjatë ditëve në vijim, policia dhe eksperti i komunikacionit do të zhvillojnë ligjërata edhe në universitete të tjera private, si dhe në disa shkolla të mesme të larta në Ferizaj, sipas plan-programit të paraparë në kuadër të projektit.

Paralelisht, policët së bashku me vullnetarët e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt” do të shpërndajnë fletushka vetëdijësuese për shoferët e automjeteve.

Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.

Respektimi i rregullave në trafik shpëton jetë.