Ekipi kombëtar i Kosovës në robotikë është bërë gati për një tjetër paraqitje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Gjashtë nxënës të talentuar nga vendi, të shoqëruar nga mentorët e tyre, do të udhëtojnë për në Incheon të Koresë së Jugut për të marrë pjesë në edicionin e ri të garës prestigjioze botërore “FIRST Global Challenge 2026”. Kjo ngjarje mbledh së bashku përfaqësues nga qindra shtete të botës për të promovuar inovacionin, punën ekipore dhe zgjidhjen e sfidave globale përmes teknologjisë.
Tema qendrore e këtij viti i kushtohet çështjeve kritike mjedisore dhe ndikimit shkatërrues të katastrofave natyrore. Ekipi i Kosovës ka zhvilluar dhe do të prezantojë zgjidhje inovative dhe projekte të robotikës me fokus të veçantë tek adresimi, parandalimi dhe menaxhimi i zjarreve të egra, si dhe mbrojtja e biodiversitetit dhe mjedisit. Kjo pjesëmarrje shërben si vazhdimësi e sukseseve dhe traditës së shkëlqyer që talentet e rinj nga Kosova kanë treguar ndër vite në këtë garë globale.
“Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.”



Leave a Reply