Zjarri në Halil të Krujës, flakët rrezikojnë banesat

Një zjarr i madh ka përfshirë zonën e Halilit në Krujë, duke krijuar rrezik për disa banesa pranë zonës së prekur. Flakët po përhapen në terren të thyer dhe malor, çka e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka.

Në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikësit, Emergjencat Civile dhe forca të tjera, ndërsa për shkak të terrenit është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopterë.

Situata po monitorohet nga afër dhe ekipet në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim që zjarri të mos përparojë drejt zonave të banuara.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka qenë në terren për të ndjekur nga afër operacionin dhe situatën e krijuar.

Zjarret në zonën e Krujës janë shoqëruar gjatë ditëve të fundit me vështirësi të mëdha për shkak të temperaturave të larta, erës dhe terrenit malor. Deri në përditësimet e fundit, nuk raportohet për persona të lënduar apo banesa të djegura në këtë vatër.