Më shumë se dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Republika e Kosovës po vazhdon të përballet me një ngërç të rëndë kushtetues dhe institucional. Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar, ndërkohë që tensionet politike kanë arritur një pikë kthese pas kërkesave zyrtare të opozitës dhe paralajmërimeve të ashpra nga Bashkimi Evropian.
Në kërkesën e saj, PDK-ja thekson se tejkalimi i afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka krijuar një situatë të paprecedentë, por në theks të tovizës vlerësohet se kalimi i afateve nuk e shuan kurrsesi detyrimin ligjor për përfundimin e këtij procesi.
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme, duke i mundësuar deputetëve të zgjedhur ushtrimin e mandatit të marrë nga qytetarët”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Pavarësisht pozicionit të deritanishëm të kryesuesit Dehari – i cili ka deklaruar se seanca do të thirret vetëm pasi të ketë një konsensus paraprak mes subjekteve politike – nga PDK-ja kanë paralajmëruar se deputetët e tyre do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, duke kërkuar nga partitë e tjera që të dëshmojnë vullnet politik.
Alarmi i Bashkimit Evropian: Rrezikohen miliona euro nga Plani i Rritjes
Përveç bllokadës së brendshme, kriza politike ka alarmuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian ka lëshuar një paralajmërim zyrtar se vonesat e vazhdueshme në funksionalizimin e plotë të institucioneve të reja të Kosovës rrezikojnë drejtpërdrejt përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Megjithëse Kosova ka dorëzuar kërkesat për disbursimin e fondeve dhe zbatimin e reformave, mungesa e një Kuvendi funksional dhe e një qeverie të konsoliduar rrezikon të bllokojë proceset integruese dhe mbështetjen financiare evropiane, në një kohë kur vendi po përballet me sfida të rëndësishme ekonomike dhe sociale.



Leave a Reply