Tensione të forta janë shënuar sot në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e PDK-së janë përplasur me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Arbërie Nagavcin.
Gjatë kohës kur Nagavci po komunikonte me mediat, deputetë të PDK-së iu afruan asaj dhe situata u tensionua. Në një moment, drejt saj u hodhën letra, ndërsa pati edhe shtyrje fizike mes deputetëve të palëve.
Në përplasjet e sotme u përfshinë edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, dhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi. Po ashtu, pati përplasje mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi.
Tensionet lidhen me kërkesën e PDK-së dhe AAK-së që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit. Opozita po kërkon nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e saj, ndërsa LVV-ja po këmbëngul se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike.
Seanca konstituive kishte nisur më 6 gusht, por procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike rreth konstituimit të Kuvendit.
Ngjarjet e sotme kanë shkaktuar reagime dhe tensione të mëtejshme mes deputetëve, ndërsa kriza politike rreth funksionalizimit të Kuvendit vazhdon.


Leave a Reply